At Gjergj Fishta
Nga Wikipedia, Enciklopedia e Lirë
Gjergj Fishta
Tabela e përmbajtjeve |
[redaktoni] Jeta
Lindi në fshatin e vogël Fishtë të Zadrimës më 23 tetor 1871. Jetën e filloi si barì. Por shumë shpejt , kur ishte 6-vjeçar zgjuarsia e tij i bie në sy famulltarit të fshatit, i cili e dërgon Fishtën në Seminarin Françeskan të Shkodrës. Më 1880, kur hapet seminari në Troshan, ai vijon në këtë shkollë. Këtu ai shfaqi trillin poetik. Më 1886 dërgohet për studime në Bosnjë. Vitin e parë e kaloi në Guçjagorë afër Travanikut. Mësimet filozofike i mori në kuvendin e Sutidkës, ndërsa ato teologjike në kuvendin e Livnos. Të kësaj kohe janë edhe "Ushtrimet e para poetike". Më 1893 përfundoi studimet shkëlqyeshëm.
[redaktoni] Aktiviteti patriotik
I formuar në periudhën e Rilindjes sonë kombëtare, poeti ynë Gjergj Fishta është një nga vazhduesit më autentikë dhe të drejtpërdrejtë të saj, shprehës i idealeve atdhetare dhe demokratike në kushtet e reja që u krijuan në shekullin e njëzetë. Mënyrat e pasqyrimit të jetës, në krijimtarinë e tij, janë vazhdim i natyrshëm i teknikës letrare të Rilindjes, ku mbizotëron romantizmi, realizmi dhe klasicizmi. Deri më 1899, Fishta shkruan me alfabetin shqip të françeskanëve. Në janar 1899 ai bëhet bashkëthemelues dhe pjestar aktiv i shoqërisë "Bashkimi", të cilën e drejtoi poeti atdhetar Preng Doçi. Me alfabetin e kësaj shoqërie u botuan edhe krijimet e Fishtës të kësaj periudhe. Më 1902 emërohet drejtor i shkollës françeskane në Shkodër deri atëherë e drejtuar nga klerikë të huaj. Menjëherë ai futi gjuhën shqipe si gjuhë mësimi në këtë shkollë. Shpejt Fishta u afirmua si poet dhe si atdhetar. Më 1908 ai mori pjesë në Kongresin e Manastirit si përfaqësues i shoqërisë "Bashkimi". U zgjodh Kryetar i Kongresit dhe drejtoi punën e Komisionit të Alfabetit. Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë ai e priti me entuziazëm të veçantë, por Luftën Ballkanike dhe Konferencën e Ambasadorëve me një brengë të madhe. Shkodra, qyteti i tij, të cilin kërkonte ta aneksonte Mali i Zi, ishte në duart e fuqive ndërkombëtare. Brenga dhe entuziazmi duken në poezitë, por edhe në shkrimet publiçistike që boton në revistën "Hylli i dritës", revistë letrare-kulturore, të cilën e themeloi në tetor 1913 dhe u bë drejtor i saj. Nën pushtimin austriak boton gazetën "Posta e Shypnisë" (1916-1917), më 1916 themelon, bashkë me Luigj Gurakuqi, "Komisinë letrare" që kishte për qëllim krijimin e gjuhës letrare kombëtare.
Mbarimi i Luftës së Parë Botërore përkon me pjekurinë e plotë të personalitetit të Fishtës si poet, si intelektual, dhe politikan atdhetar. Nga fillimi i prillit 1919 dhe gjatë vitit 1920 është sekretar i përgjithshëm i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris. Në dhjetor 1920 zgjidhet deputet i Shkodrës. Në prill 1921, në mbledhjen e parë të parlamentit shqiptar zgjidhet nënkryetar. Si nënkryetar i Parlamentit kreu veprimtari të dënduara politike. Merr pjesë në Revolucionin e Qershorit, 1924. Përndiqet pas rikthimit të Zogut në Shqipëri. Vitet 1925 e 1926 i kalon në Itali. Ndërkohë, krijon, boton e riboton pareshtur. Të kësaj kohe janë edhe pjesa më e madhe e dramave, dramave lirike, tragjedive etj. Pas kthimit në Shqipëri nis etapa e fundit e krijimtarisë së Fishtës. Kësaj etape i vë vulën përfundimi e botimi i plotë i "Lahutës së Malësisë", (1937).
[redaktoni] Krijimtaria artistike
Arrin të botojë këngët e para të "Lahuta e Malëcisë", kryevepër e poezisë epike shqiptare, më 1904. Më 1907 boton përmbledhjen satirike "Anzat e Parnasit", dhe më 1909 përmbledhjen lirike "Pika voëset", më 1913 "Mrizi i Zanave".
Për veprimtarinë poetike, arsimore, atdhetare e fetare Gjergj Fishta mori nderime të ndryshme. Më 1931, Greqia i jep dekoratën "Foenix". Më 1939, Italia e bën anëtar të Akademisë së saj. Padër Gjergj Fishta vdiq në Shkodër më 30 dhjetor 1940 në spitalin civil të qytetit të Shkodrës ku ai ishte shtruar nga një sëmundje e zemrës dhe e mushkërive. Varrimi i tij u krye një ditë më vonë në kishën Françeskane të Gjuhadolit. Fjala e fundit u mbajt nga Prof. Aleksandër Xhuvani.
[redaktoni] Korrespondenca e Fishtës me Musolinin dhe Jakomonin
Njihen dy letra që Patër Gjergj Fishta i ka drejtuar Benito Musolinit. Letra e parë i takon vitit 1934 dhe është e postuar në Livorno, Italia. Është e shkruar italisht, herë-herë me fjalë jo të italishtes së sotme. Duke ndjerë se nuk i mbetej shumë për të jetuar, Fishta i kërkon Mussolinit që vepra e tij të botohet e plotë dhe “e paraqitshme”, gjë që nuk mund ta bëjë Urdhri Françeskan, dhe as Provinca e Fishtës. Dhe të ardhurat nga shitja e veprës t’i kalojnë kësaj province. Deri në atë kohë dijetari shqiptar thuajse e kishte mbyllur ciklin e gjithë krijimtarisë së tij, pavarësisht rishikimeve të mëvonshme. Lutja konsiston në botimin e të shtatë vëllimeve të veprës ku përfshihen poezia ajo epike me “Lahutën e Malcisë”, lirika, drama, satira politike dhe sociale, proza, përkthimet nga Iliada e Homerit, Molieri etj.
Teksti i plotë i kësaj letre është si më poshtë:
Livorno 10 korrik 1934 12 Via delle Galera
Shkëlqesisë së tij Benito Musolini, kryetar i së Ndritmes qeveri mbretnore t’Italisë, Romë
Shkëlqesi, në periudhën e gjatë prej dyzet vjetsh veprimtariet fetare e kulturale në Shqipni kush ju shkruen ka prodhue një vepër letrare në gjuhën shqipe qi e ndame simas natyrës të formës e të llojeve të ndryshme të argumenteve të trajtueme do t’përfshihej në shtatë volume në format gjashtëmbëdhjetsh - gjashtë në vargje e nji në prozë - me nji mesatare prej 300 faqesh sejcila. I shkuem në moshë siç jam, due me gjithë zemër, me e pa të rishtypme kët vepër në nji botim homogjen e t’paraqitshëm. As Urdhni Françeskan, as Provinca jeme nuk i kanë tash për tash mjetet për kët qëllim. Me besim pra, i drejtohem Shkëlqesisë tuej duke iu lutun që kjo e Ndritme Qeveri Mbretnore e Italisë me bujarinë e saj të naltë, mirësisht t’më akordojë t’ardhunat e nevojshme për rishtypjen e kësaj vepre teme letrare. Vepra do t’shtypej n’Itali e mund të dorëzohet brenda tetë muajsh. Meqenëse në kët mënyrë çmimi i veprës mund të ulej ajo do të mund të shpërndahej ma gjanësisht ndër popullin shqiptar. T’gjitha të ardhurat materiale që mund të rrjedhin nga ky botim do t’i derdheshin ekskluzivisht provincës françeskane t’Shqypnisë qi kaq nevojë ka për ndihmë. Si françeskanët ashtu edhe intelektualët e Shqypnisë do të ruanin në kujtim të përjetshëm kët bujari kaq të naltë që me besim unë ia lus të ndritmes qeveri mbretnore t’Italisë.
Ndërsa ju shkruej, Shkëlqesisë Tuej
Ju falenderoj At Gjergj Fishta
Lettore Giubilato e definitore della Provincia d’Albania
Letra e dytë e Fishtës drejtuar Musolinit është shkruar në Romë, me datë 27 prill 1940, dhe po ashtu si letra e parë mban edhe vitin përkatës fashist, viti XVIII, i drejtohet tashmë Udhëheqësit – Duçe. Në këtë letër të shkurtër i shkruan për prof. Gino Bottiglioni, i Universitetit të Bolonjës që në atë kohë ishte thirrur nga Akademia Italiane – anëtar i kësaj Akademie Gjergj Fishta u bë në 1939 – i ngarkuar me misionin për të promovuar studime në të gjitha fushat e dijes dhe për të drejtuar të rinjtë studentë. “Qendra jonë e Studimeve Shqiptare do donte një impuls të dukshëm nga profesori i Universitetit të Bolonjës ku me iniciativën e tij, po organizohet një grup të rinjsh veçanërisht i përkushtuar ndaj albanologjisë”. Për këtë Fishta “guxon” t’i drejtohet Duçes dhe “gjykimit të tij të ndritur” për t’u gjetur një mënyrë që ta shtyjë më tej këtë nismë.
Letra drejtuar Jakomonit, mëkëmbësit të mbretit Viktor Emanuel III është një lutje për të ndihmuar albanologun Norbert Jokl. Teksti i plotë i letrës është:
Shkodër, 23 shtator 1939 XVII
Shkëlqesisë së tij Françesko Jakomonit Mëkëmbësit Tiranë
Shkëlqesi Duke marrë parasysh se më i miri filolog i gjallë i gjuhës shqipe në Evropë, është profesor Norbert Jokl me kombësi hebreje, i cili para Aushvicit ishte bibliotekar i Universitetit të Vjenës dhe profesor i Filologjisë në të njëjtin universitet, tani më shkruajnë nga Vjena se autoritetet lokale kanë njoftuar për këtë albanolog të shquar, të largohet brenda 30 ditëve nga territori i Rajhut. Ai është tashmë i pamartuar dhe me një fat të përulur. Për këtë, natyrisht, duhet bërë më e mira, për t’i gjetur një vënd, kudo qoftë, sa për të jetuar. Duket se dëshiron të transferohet në Amerikë. Shkëlqesi, pa dyshim që do të ishte një fatkeqësi e rëndë për gjuhën kombëtare shqiptare që ky dijetar, me famë evropiane – të cilin unë e njoh mirë dhe që me autoritetin e padiskutueshëm ka mbajtur ngjall interesin e më të shquarve filologë për gjuhën shqipe – që ta lërë Evropën nga zori. Gjithë kombi shqiptar do t’ju ishte borxhli pamasë nëse Shkëlqesia Juaj do mundej të gjente shtegun, për ta sjellë në Shqipëri, për t’i atribuar, një detyrë, megjithëse jo fort të shpërblyer, në krahasim me famën e tij si shkencëtar dhe filolog fisnik. Me bindje të plotë se do ta gjykoni me interesim të njerëzishëm këtë propozim timin – që unë e ndiej për ta çuar përpara, në emër të gjithë intelektualëve shqiptarë, gjej këtë rast për t’Ju lutur të pranoni ndjenjat e stimës sime më të vërtetë dhe mirënjohjes së thellë.
Besimtar i devotshëm At Gjergj Fishta
[redaktoni] Lidhje të jashtme
- http://www.shkoder.net/al/fishta_v.htm
- http://www.shekulli.com.al/index.php?page=lajmedite&newsID=100498
[redaktoni] Tituj të veprave
- Lahuta e Malsisë - poemë (Zarë, 1925)
- Anzat e Parnasit - satirë (Sarajevë, 1907)
- Pika voese më vonë ri botuar si Vallja e Parrizit (Zarë, 1909)
- Shqiptari i qytetnuem - melodram (1911)
- Vëllaznia apo Shën Françesku i Assisi-t (1912)
- Hylli i Dritës revistë (1913)
- Juda Makabe - tragjedi (1914)
- Gomari i Babatasit (Shkodër, 1923)
- Mrizin e Zanave (Shkodër, 1924)
- Lauta e malësisë - botimi kompletë (1937)
- Mirënjohje
- Urdhri Nderi i Kombit, 2002 - ndarë nga Presidenti i Shqipërisë, zot. A. Moisiu
- Letërsi
- Çmimet
- çmimi "Ritterkreuz, 1912-Austro-hungaria
- çmimi i "Françeskanëve të Shkodrës"- Italia fashiste-at Fishta e refuzon
- çmimin e "Universitetit të Stambollit"- Turqia
- çmimin "Phoenix"-Greqia